Nikolo Zaniolo pësoi një dëmtim të rëndë dhe fatkeq në ndeshjen e javës së kaluar ndaj Juventus. Futbollisti i Romës këputi ligamentet e gjurit dhe tashmë sezoni për të mund të konsiderohet i përfunduar, ndërsa shpreson të rikuperojë disa ditë para Europianit, për të qenë prezent me Italinë. Me talentin janë solidarizuar të gjithë duke i dërguar mesazhe për t’u rikthyer sërish më i fortë.

Por, ata që nuk kanë treguar asnjë shenjë keqardhje kanë qenë tifozët kundërshtarë të Lacios. Në ndeshjen e djeshme të Serisë A kundër Sampdorias, ata kënduan të gjithë në kor: Zaniolo kërce me ne”, duke nënkuptuar pamundësinë e sulmuesit për të lëvizur normalisht.Një gjest për t’u dënuar, ndërsa sot ka reaguar edhe vetë futbollisti.

Nëpërmjet një postimi në Instagram, Zaniolo ka postuar një shkrim në të cilin lexohet” Inferiorë, gjithmonë forca Roma. Jeni për të ardhur keq”.

Kjo nuk është hera e parë që tifozët e Lacios kapen me Zaniolon, teksa në stadiumin “Olimpico” kur luajnë bardhekaltërit dëgjohen shpesh thirrje për mamanë e 20-vjeçarit.