Një nga afrimet e bujshme të skuadrës së Teutës është edhe sulmuesi shtatlartë, Idelino Gomes Kulibali. Një futbollist mjaft cilësor, por edhe që e ka nisur me gol eksperiencën në Durrës duke shënuar në testin ndaj Besës. Kulibali ka pohuar:

“Është gjithmonë mirë që të shënosh dhe të ndihmosh skuadrën. Kur ekipi gjen golin funksionon mjaft mirë në një ndeshje zyrtare, e jo më në një miqësore. Ndonëse unë shënova me penallti, më bën mirë që e nis me gol. Në fund të fundit, një sulmues duket edhe nga golat që shënon”, – tha shtatlarti nga Guinea Bisau, që ka luajtur në të shkuarën edhe në Portugali.

“Unë kam objektiva njësoj si me ekipin. Duhet që të punoj shumë nga ndeshja në ndeshje dhe pastaj të flasim. Në plan të parë janë realizimi i synimeve që ka skuadra, pastaj ato në aspektin personal. Dua që të jem i vlefshëm për ekipin dhe të shënoj gol”, – tha sulmuesi 26 vjeçar, që është një nga afrimet më të fundit në Durrës.