Dëshira për të treguar veten duket se ka “djegur” Ante Çoriç. Talenti i Dinamos së Zagrebit, i cili shihej si ylli i radhës që do të prodhonte dhe shiste klubi kroat, aktualisht është në qendër të kritikave në vendlindje për ndeshjen kundër Skënderbeut.Sipas mediave kroate, mes tij dhe trajnerit Mario Cvitanoviç ka që tani një krisje për shkak të atij zëvendësimi shumë të shpejtë që i bëri lojtarit, para fundit të pjesë së parë të ndeshjes. Ai zëvendësim nuk kishte të bënte më një dëmtim, por me mënyrën se si po luante talenti kroat.

Kjo është parë si një tjetër shenjë e një problemi të dukshëm që ka futbollisti i cili në fakt priste që të shitej në kampionatin anglez gjatë verës. Ai nuk ka ngurruar asnjëherë të shfaqë hapur pakënaqësinë e tij kur trajnerët marrin vendime kundër tij. Ish-trajneri, Ivailo Petev, deklaroi se Çoriç kishte refuzuar të luante në fundin e sezonit të kaluar, pas disa ndeshjeve ku ishte zëvendësuar nga trajneri bullgar dhe e cilësoi sjelljen e tij si arsyen kryesore pse u humb titulli kampion.Duke parë se me mungesën e Çoriç në fushë, bie ndjeshëm edhe forca ofensive e Dinamos, te Skënderbeu shpresojnë që kjo situatë e tensionuar të vazhdojë të paktën deri të enjten, për të pasur një shans më shumë për kalimin e turit.