Spanja dhe Portugalia janë bashkuar për të organizuar Kupën e Botës të vitit 2030. Përpara ndeshjes së djeshme miqësore mes dy shteteve iberike, federatat përkatëse të futbollit deklaruan iniciativën e përbashkët për të kandiduar për kompeticion më madhor të futbollit.

“Kjo marrëveshje nënkupton një hap të rëndësishëm për projektin e përbashkët të dy federatave tona, por gjithashtu dhe për dy vendet tona. Futbolli, sporti është një instrument i rëndësishëm për të injektuar forcë dhe vullnet për të kapërcyer këto momente të vështira. Pak gjëra mund të jenë ekzaltuese si mundësia për të organizuar një kampionat botëror dhe nuk mund të mendojmë për një partner më të mirë se Portugalia. Do të bashkëpunojmë me Federatën Portugeze të Futbollit”, u shpreh presidenti i Federatës Mbretërore Spanjolle të Futbollit Luis Rubiales.

Vitin e kaluar, dy shtetet fqinje të Gadishullit Iberik propozuan që të organizonin Kupën e Botës së bashku me Marokun, por më pas kjo ide u hodh poshtë. Për organizimin e Kupës së Botës të vitit 2030, Serbia, Bullgaria, Greqia dhe Rumania përbëjnë njërën kandidaturë për mbajtjen e këtij evenimenti sportive, ndërsa një tjetër bllok shtetesh përbëhet nga Uruguai, Argjentina, Paraguai dhe Kili.