Silvio Zogaj ka vendosur të mbyllë aventurën e tij me Vllazninë. Pas dy ditësh nga ky lajm raportohet se Teuta është pranë shërbimeve të sulmuesit nga Lezha. Durrsakët duan të kompletojnë sulmin, që për monetin përbehet nga Rubin Hebaj (ish-lojtar i Vllaznisë) dhe Blerim Krasniqi. Zogaj në dy sezonet e fundit është aktivizuar me Vllazninë, ku luajti 50 ndeshje (29 si titullar) dhe shënoi 5 gola.

I riu nga Lezha në të shkuarën është aktivizuar edhe me Laçin dhe Luftëtarin, por nuk ka arritur të tregojë gjithë talentin e tij. Tashmë pritet që Martini ta afrojë dhe të provojë të nxjerrë më të mirën nga sulmuesi i rritur në akademinë e Vllaznisë. Pozicioni natyral i Zogajt është si sulmues qendre, por ai ka luajtur në të djathtë të ofensivës.

Bisedimet mes tij dhe Teutës janë në rrugën e duhur dhe shpejt sulmuesi do i bashkohet durrsakëve, që këtë sezon duan titullin kampion, pas fitimit të Kupës dhe Superkupës ndaj Tiranës në sezonin e shkuar. Ndërkohë, Teuta ka zhvilluar komunikime me Dejvi Bregun, por ende nuk ka mundur të gjejë marrëveshjen me sulmuesin e majtë.