Lorik Cana do t’i japë zyrtarisht fund karrierës së tij futbollistike me 9 Tetor në “Loro Borici”, në ndeshjen e fundit eliminatore të Botërorit “Rusi 2018” me Italinë.

Është vetë Federata Shqiptare e Futbollit që nëpërmjet një postimi në faqen e saj zyrtare njofton organizimin e një ceremonia të vecantë para nisjes së këtij takimi për kapitenin legjendar kuqezi, i cili për rreth 13 vjet ka dhënë gjithcka për Kombëtaren Shqiptare, duke u shndërruar në idhull dhe pikë referimi për të gjithë tifozët e përfaqësueses dhe për të gjithë fëmijët shqiptarë që ëndërrojnë të kenë një karrierë të suksesshme në futboll.

Cana u grumbullua në Kombëtare që në vitin 2003, duke përjetuar momente të shumta gëzimi dhe hidhërimi, ndërsa kulmin e karrierës me fanellën kuqezi e shënoi me pjesëmarrjen e Shqipërisë në finalet e Europianit “Francë 2016”. 93 ndeshje në total si askush tjetër, një shifër rekord përsa i përket pjesëmarrjeve me Kombëtaren.

Pas njoftimit të FSHF-së ka ardhur edhe një reagim i Tifozave Kuqezi, që nëpërmjet një letre publike në faqen zyrtare të këtij tifogrupi, i kanë kërkuar Lorik Canës që ta shtyjë ceremoninë e lamtumirës për një datë tjetër, sepse duan të jenë të pranishëm në stadium për ta shndërruar në festë këtë event që do t’i dedikohet ikonës së kombëtares.

Tifozat Kuqezi kanë argumentuar se nuk mund ta thyejnë bojkotin e ndeshjeve të Kombëtares në shtëpi, pasi nuk kanë parë asnjë reagim nga autoritet për keqorganizimin, keqtrajtimin fizik dhe psikologjik që u bëhet në takimet që zhvillohen në Shqipëri.