Amadu Latif rikthehet në Durrës. Pasi humbi një pjesë të mirë të fazës përgatitore, për shkak të planeve të klubit për ta transferuar në Bjellorusi (operacion që më pas dështoi dhe lojtari nuk shkoi kurrë te Shakhtjor Soligorks), prej ditës së djeshme ganezi është vënë nën urdhrat e Bledi Shkëmbit.

Kur njihen mangësitë që sulmuesi ka aspektin fizik, nuk kishte sesi ta niste me grupin dhe aq më tepër me ngarkesa. Ndaj ka kryer vetëm një seancë i diferencuar nga pjesa tjetër e ekipit, duke zbatuar me përpikëri edhe programin special që i është përgatitur nga stafi teknik që të rigjejë gjendjen optimale në kohë rekord.

Ky është një lajm i rëndësishëm për Teutën, paçka se llogaritë për dy ndeshjet e para të këtij viti duhet t’i bëjnë pa Latif në majën e sulmit. E sigurt është se nesër për Kupën e Shqipërisë nuk luan kundër Lushnjës, e aq më pak me Flamurtarin për javën e 19-të të Kategorisë Superiore. Megjithatë, shpresohet që të jetë gati për ndeshjet pasardhëse dhe të rikthehet më efektiv se më parë në raport me golat.

Merkatoja në Durrës ka mbetur në “vendnumëro”. Çështja “Arapi” vazhdon të zvarritet. Kur u përmend për herë të parë emri i tij për një transferim te skuadra e Shkëmbit, gjithçka u duk e lehtë. Vetë lojtari shprehu dëshirën për të qenë pjesë bregdetarëve, por tani është shndërruar në një “telenovelë” të vërtetë.

Mbrojtësi nuk ka zgjidhur kontratën e tij turke dhe në kësi kushtesh as që mund të diskutohet kalimi i tij te Teuta. Reparti i sulmit ishte objektivi tjetër i klubit për t’u përforcuar, por edhe aty ende asgjë konkrete dhe me shumë mundësi çelësat e atij reparti do t’i ketë sërish Latif. Paçka se kandidatët dhe negociatat nuk kanë munguar gjatë kësaj periudhe.