Leo Mesi nuk po kalon një moment shumë të mirë te Barcelona këtë sezon, aq sa kanë filluar të qarkullojnë edhe lajme mbi një largim të mundshëm të argjentinasit. Sipas mediave spanjolle, sulmuesi nuk dëshiron të rinovojë kontratën e cila skadon vitin tjetër, duke menduar largimin nga katalanasit. Menjëherë kanë nisur të qarkullojnë lajme mbi një kalim të mundshëm të Mesit te Sitit i Guardiolës apo së fundmi edhe te Juventusi.

Për këtë çështje ka folur edhe ish-lojtari i Barcelonës, Rivaldo, i cili është shprehur se shumë sponsor janë gati të paguajnë që argjentinasi të kalojë në Torino.

“Nëse ai po e mendon largimin, atëherë diçka nuk është mirë në dhomat e zhveshjes së Barcelonës dhe ndoshta është i lodhur me gjitha problemet që e kanë rrethuar klubin muajve të fundit. Kur atij t’i përfundojë kontrata, do të jetë 34 vjeç, por me klasin e tij ai ende mund të luajë në Premier Ligë.

Do të jetë e dhimbshme që ta shohim duke u larguar nga Barcelona kur kontrata t’i përfundojë, por ende shpresoj se do të qëndrojë. Pavarësisht lidhjes me klubin, ai ka të drejtë të lëvizë nëse dëshiron të ribashkohet me Guardiolën te Mançester Siti që do ta joshin atë, pasi që të dy kanë krijuar një partneritet shumë të mirë te Barça.

Me gjitha spekulimet, besoj se disa agjentë tashmë ëndërrojnë t’i shohin Mesin dhe Ronaldon në Juventus dhe kjo do të jetë diçka e madhe në gjithë botën. Nëse ndodh, do të jetë diçka ‘boom’. Do të ishte historike të shohim të dy duke luajtur së bashku dhe jam i sigurt që shumë sponsorë të Juves do të donin të ndihmonin financiarisht, kështu që, është gjithashtu një mundësi për Mesin. Nëse ka zëra për largimin e Mesit, sigurisht që çdo klub do të mendojë se si mund ta firmosin atë”, u shpreh Rivaldo.