Më shumë se 20 milionë (euro) arsye për t’i shkuar deri në fund turneut. Interi ka kaluar edhe pengesën e radhës, Bajer Leverkusenin, duke prerë biletën e merituar për në gjysmëfinalen e Ligës së Europës, e cila nuk karikon vetëm ëndrrat zikaltër, por mbush edhe arkat e klubit.

Me kualifikimin mes katër më të mirave të turneut, Interi ka arkëtuar 2.4 milionë euro, plus 3.1 milionë të tjera, që i kishin fituar deri në këtë pikë të turneut.

Por skuadra e Antonio Kontes ka më shumë pretendime se kaq dhe finalja e Këlnit, më 21 gusht, do të shtonte edhe 8.5 milionë euro të tjera (4.5 për arritjen në finale dhe 4 për ngritjen e trofeut, plus paratë nga të drejtat TV dhe sponsorët që sigurojnë deri në 5 milionë euro të tjera).

Në të njëjtën kohë, trofeu vlen edhe të drejtën për të luajtur në Superkupën e Europës, e cila garanton 3.5 milionë euro, vetëm për pjesëmarrjen.

Por edhe pse paratë janë shumë të rëndësishme në futbollin e sotëm, suksesi në Ligën e Europës për zikaltrit do të thoshte kalim në vazon e parë të Champions-it, duke shmangur kështu për shortin e 2020-2021 të paktën dy ekipe të mëdha, duke qenë se aktualisht skuadra e Kontes është e varur mes vazos së tretë dhe të katërt.