Teuta do të presë Vllazninë në Durrës pa Erando Karabecin të pezulluar me kartonë, ndërsa për trajnerin Martini lajmi i mirë është rikthimi i Kuros pikërisht nga mungesa me katër të verdhë.

Lorenco Vila nuk e diskuton që në fund Teuta do të festojë. Edhe pse durrsakët janë ende në vend të 3-të, mesfushori i linjës së djathtë e thotë me bindje se fundi i këtij sezoni do t’i ngjisë në vendin e 1-parë dhe rrjedhimisht do të realizojnë objektivin e vendosur nga klubi.

Ai analizoi pikën e marrë ndaj Kukësit dhe u ndal te dueli i së mërkurës me Vllazninë.

Për çfarë ju vjen më shumë keq nga ndeshja me Kukësin?

Pas tri fitoreve, ky barazim nuk ishte dhe aq pozitiv. Ajo që më kënaqi ishte dëshira që tregoi ekipi. Kjo është diçka që të jep shpresë. Unë shpresoj që të vazhdojmë me rezultatet pozitive.

Ishte një shans i humbur për t’u afruar me kreun apo ju ngushëllon disfata e Vllaznisë dhe barazimi në Partizani-Laçi?

Një rezultat jo shumë pozitiv dhe sidomos kur dihet se çfarë objektivi kemi ne. Sidomos në ndeshjet e shtëpisë. Të premten bëmë një lojë ndryshe. Për ne është një fat që kundërshtarët tanë kanë lënë pikë, pasi ky kampionat ka shumë pak diferenca. Pavarësisht se mund të humbësh apo dhe të barazosh, përsëri e shikojmë që jemi aty me pikë. Duhet të mbledhim forcat dhe të japim maksimumin, pasi kemi ndeshje të rëndësishme dhe kampionati është ende i gjatë. Duhet të marrim maksimumin duke filluar që nga ndeshja me Vllazninë në shtëpi.

A mund ta quajmë si finale ndeshjen me Vllazninë?

Përpos renditjes, ndeshjet me Vllazninë gjithmonë kanë qenë të bukura dhe të vështira. Kjo, për vetë faktin se shkodranët kanë një skuadër cilësore dhe me lojtarë që japin maksimumin në të tilla përballje. Për këtë motiv duhet që të jemi më shumë se të përqendruar, nga fillimi deri në fund të lojës. Ndërsa, për sa i përket renditjes, mbetet një tjetër anë që e ndërlikon këtë 90- minutësh.

Kujt i bëjnë më shumë punë pikët?

Nuk dua të mendoj për kundërshtarin, pasi asnjëherë nuk e kemi bërë një gjë të tillë. Ne mendojmë vetëm për veten tonë dhe kjo na ka ndihmuar të ecim përpara. Na nevojitet mjaft ky trepikësh, pasi duam të ngjisim shkallët në renditje. Vendi i tretë në kampionat nuk i shkon për shtat Teutës.

Sa shanse ka Teuta të fitojë titullin?

Mendoj se gara tashmë është bërë më e fortë dhe ne duhet të shohim ndeshjet një e nga një, e më pas të bëjmë llogaritë. Jemi një grup i mirë lojtarësh, por edhe me dëshirë për të bërë mirë. Të gjithë duam që të tregojmë se sa vlejmë dhe këtë synojmë ta bëjmë në çdo ndeshje. Unë mendoj se është e sigurt që në fund do festojë Teuta.

Për këtë, ju duhet thuajse me çdo kusht një fitore ndaj Vllaznisë. Sa besim keni që do t’ia dilni?

Do të jetë e vështirë, sepse ka shumë rivalitet. Por duke parë grupin dhe potencialin që kemi, besojmë se do ta realizojmë objektivin që të marrim tri pikët në këtë përballje. Me pak kujdes dhe me shumë fat, do të jemi aty ku duhet.

Si e shikoni garën deri në fund, do mbeteni 4 ekipe për titullin apo prisni që të reduktohen me afrimin e fundit?

Natyrisht që tashmë katër ekipet e para janë shkëputur disi nga të tjerat, por kjo sipas meje nuk do të thotë asgjë. Gara do të jetë e fortë deri në fund dhe shpresoj që në finish të jemi ne të parët.