Teuta siguroi për herë të katërt Kupën e Shqipërisë. Në 100- vjetorin e klubit, pas ndeshjes me Tiranën, “djemtë e detit” e kanë festuar deri pas mesnate triumfin në kryeqytet.

Lorenco Vila, si durrsak dhe si lojtari i këtij ekipi që firmosi triumfin në finalen e Kupës, shprehet se e ndjeu dyfish gëzimin e këtij suksesi. Ai theksoi gjithashtu se kjo kupë është e të gjithëve dhe është festuar në mënyrën më të mirë. Ai nuk ngurron që të komentojë projektin e drejtuesve si dhe objektivat për në Ligën e Europës.

Lorenco, kthyet kupën në Durrës pas 15 vitesh, çfarë ndjesie keni?

Emocionet janë gjithnjë të mëdha. Gjithashtu, ajo çka më gëzon është fakti që përmbushëm objektivin e klubit në ketë 100-vjetor. Ndjesi e papërshkrueshme, ndaj le ta festojë Durrësi.

Shënuat golin vendimtar në finalen e Kupës, çfarë emocionesh ishin?

Fillimisht ishte një ndjesi shumë e bukur që goli im i dha qetësinë ekipit. Teuta është tashmë ekipi fitues në fuqi i Kupës dhe mundësia për ta ruajtur këtë trofe e shton ndjesinë pozitive. Aq më tepër që në finale arrita të shënoj edhe unë. Që nga ai moment, me shumë padurim po prisja të mbaronte ndeshja dhe të ngrija kupën.

Çfarë do të thotë për një durrsak të fitojë Kupën me ekipin e qytetit?

Sigurisht që kjo është më shumë se një gëzim trofeu. Unë kam pasur fatin të jem pjesë e Teutës që në fillimin e projektit dhe kam parë çdo gjë. Ky i këtij sezoni ishte ekipi më i mirë i këtyre tri viteve të fundit dhe këto festime tani janë fryt i punës së presidencës. Si durrsak dhe si lojtar i këtij ekipi e ndiej dyfish më të madh gëzimin e kupës.

Pas Kupës çfarë objektivash keni, duke qenë se në prag është Europa Liga?

Personalisht mund t’ju them se ky ekip është më i forti në Shqipëri, por para se të provojmë forcat në Europë, duhet të pushojmë. Kjo, pasi e mbyllëm me sukses kampionatin, duke marrë maksimumin. Ndërsa për sa u përket Kupave të Europës nuk kam ndonjë preferencë për ndonjë ekip të caktuar, vetëm  them se këtë herë mund t’ia dalim të kalojmë një tur. Do të ishte diçka speciale, por fillimisht do të na duhet shumë punë, si dhe shumë fat në hedhjen e shortit.

Çfarë ju thanë trajneri dhe drejtuesit pas ndeshjes?

Nuk ka diçka shumë personale dhe speciale, por të gjithë jemi shumë të lumtur për arritjen e fitimit të kupës. Kjo, sepse në kampionat gjërat shkuan ashtu siç duhet dhe kjo fitore që na siguroi trofeun është një lloj oksigjeni si për mua personalisht, ashtu edhe për të gjithë ekipin.

Sipas jush, çfarë mund të ndryshojë Teuta?

Kam besim që shumë gjëra nuk do të ndryshojnë. Mendoj se grupi do të bëhet akoma më i fortë dhe që do të rikthehet akoma më shumë harmonia në skuadër. Sipas meje, me grupin që kemi edhe vetë eksperienca që kanë disa lojtarë, do të bëjë të mundur që Teutës t’i sjellë atë çka i nevojitet për t’u rikthyer në identitet dhe për të bërë më mirë në sezonin e ri, por edhe në Europë.

Si është e vërteta me Menemensporin?

Realisht nuk jam në dijeni. Thjesht e kam lexuar në media, por deri tani që flasim s’ka asnjë gjë zyrtare. Jam lojtar i Teutës dhe është klubi që vendos. Unë do të vazhdoj të jap maksimumin deri në momentin që do të jem pjesë e këtij ekipi.