Bledar Mancaku beson se Teuta do t’i shkojë deri në fund objektivit madhor që ka këtë sezon. Ish-kapiteni i durrsakëve, një idhull për tifozët bregdetarë ndër vite, në një intervistë komenton ecurinë e “djemve të detit” kur kanë mbetur edhe pesë javë për t’u luajtur.

Ai ka qenë protagonist i Teutës në sezonin 2011- 2012, kur durrsakët humbën titullin vetëm në javën e fundit, ku barazuan me Kamzën dhe Skënderbeu fitoi kampionatin. Ish-fantazisti bën apel që skuadra ta vlerësojë në maksimum Bylisin, pasi ndryshe mund ta pësojë.

Bledar, Teuta qëndroi në krye vetëm një javë. Çfarë përshtypjeje ju bëri barazimi në Shkodër dhe a mendoni se ishte një rezultat i drejtë?

Në ndeshjen me Vllazninë kam parë një Teutë shumë të kujdesshme, që nëse do shfrytëzonte ato pak raste që iu dhanë, mund të dilte me pikë të plota. Unë mendoj se ishte një rezultat i mirë në Shkodër.

Të shtunën prisni Bylisin në Durrës, një ekip që lufton për mbijetesë. Parashikoni një takim të vështirë?

Teuta duhet ta vlerësojë në maksimum Bylisin sepse kemi të bëjmë me një ekip të fortë. Dua të kujtoj se përherë këto skuadra të prishin shumë punë. Megjithatë, Teuta është një ekip i frikshëm këtë sezon, paçka se ka bërë shumë barazime. Ky ekip nuk mundet kollaj.

Kur kundërshtarët mbrojnë me shumë forca, Teuta ka gjithnjë probleme për golin. Mund të ndodhë edhe me ballshiotët kështu?

Në takimin me Bylisin do të luajnë për të fituar dhe për ta zhbllokuar sa më shpejt rezultatin. Teuta i ka mundësitë për të marrë fitore të pastër. Besoj se stafi do ta përgatisë ashtu siç duhet takimin.

Pjesa sulmuese e skuadrës ka qenë gjithnjë nën presion. Ju si e shpjegoni faktin që Teuta shënon pak, dhe për më tepër shumicën e golave e kanë vetëm dy lojtarë si Bregu dhe Lorenco Vila?

Për mendimin tim, ekipi funksionon. Te Teuta duhet të bëjnë detyrën e tyre të gjithë mirë, në mënyrë që skuadra të shkojë te porta natyrshëm. Për mua nuk ka rëndësi kush shënon, pasi Teuta duhet të ketë funksionojë si ekip në fazën sulmuese. Nuk është kjo vetëm çështje e sulmit, siç mund të themi edhe për fazën mbrojtëse, që skuadra e ka bërë më së miri, duke pësuar shumë pak gola.

Dy ndeshje radhazi me ekipe që luftojnë për mbijetesë si Bylisi dhe Kastrioti, e më pas me rivalin direkt për titull, Partizanin. Do të vendoset titulli në këto tri javë?

Jo, normalisht ka ende ndeshje që Teuta duhet t’i fitojë. Ka edhe 15 pikë në lojë. Patjetër që kjo me Bylisin është ndeshje e rëndësishme për të dyja skuadrat. Do të ndikojë shumë aspekti moral. Nuk mendoj se është ndeshje decizive, sepse do të jetë një luftë deri në momentin e fundit sido që të përfundojë ky takim. Mendoj se bashkë Partizanin dhe Vllazninë, do të jetë garë treshe për titull deri në fund. Në vitin 2012, kur ju keni qenë pjesë e Teutës, u humb titulli në javën e fundit.

Sa shanse ka që kjo të mos përsëritet këtë sezon?

Situata ka qenë ndryshe 9 vite më parë, pasi kishte ekipe që ishin në formë të mirë si Skënderbeu etj. Kishte shumë presion dhe në fund nuk arritëm të shpalleshim kampion. U shpallëm kampionë në mendje, por jo në fushën e lojës. Gabuam fatalisht në momentin më vendimtar. Këtë herë jam i bindur se nuk ka për të ndodhur kështu.