Manchester Cityt i është hequr e drejta për të garuar në kompeticionet europiane në dy sezonet e ardhshme nga ana e UEFA-s, ndërsa tani rrezikon edhe titullin e vitit 2014, pasi edhe Federata Angleze po heton për shkeljet e Fair Play-t Financiar.

Klubi anglez ka apeluar vendimin dhe pret që të marrë një përgjigje pozitive, ndërsa ndonëse është paralajmëruar për një eksod te “qytetarët”, mediat britanike kanë konfirmuar se Pep Guardiola ka premtuar besnikëri.

Trajneri spanjoll mësohet se ka kontaktuar drejtuesit e klubit dhe i ka garantuar ata për qëndrimin deri në verën e 2021-shit, edhe nëse skuadra nuk do të luajë në kompeticionet europiane, pra nëse nuk do t’ia dalë në apel.

Për Guardiolën kanë shprehur interes skuadra të ndryshme si Juventusi, Paris Saint Germain apo Barcelona, por duket se tekniku është i gatshëm të respektojë kontratën me City-n, për t’u larguar më pas verën e ardhshme me parametra zero.