Pas fitores minimale 1-0 ndaj Skënderbeut, trajneri i Teutës Edi Martini u shfaq i çliruar ku pranoi se e kishte pasur frikë përballjen me korçarët.

Aq sa protestuat, e merituat një karton të kuq…

Të them të drejtën ishte një ndeshje shumë e sikletshme dhe të them të drejtën e kishim frikë Skënderbeun. Ai vrapimi im në mesin e fushës ishte për Emilianon, pasi pati funeralin e babait të tij dhe erdhi për të luajtur, duke më emocionuar shumë.

Fituat me një tjetër ndeshje shumë të mirë…

Ne duam të kemi kontrollin e lojës gjatë gjithë 90 minutave, por momentalisht nuk jemi përqendruar te loja e bukur, pasi na duhen pikë. Unë e njoh futbollin dhe nga momenti në moment mund të befasohesh, por sot gjetëm golin dhe mbajtëm kontrollin e lojës, ndonëse ra pak ritmi.

A është humbja e rasteve një gjë negative në këtë takim?

Dakord që mund të kishim bërë më mirë, por fitorja i zeron të gjitha dhe më pëlqen të mendoj vetëm për dëshirën e lojtarëve që të bëjnë mirë.

Disa lojtarë u panë shumë nervozë dhe protestuan më shumë sesa duhej. A ishte kjo një strategji, apo diçka e dalë nga kontrolli?

Është një fazë vendimtare e sezonit dhe për vetë rëndësinë e ndeshjes, kishte edhe pak tension. Kemi derdhur djersë gjithë sezonin dhe normalisht që nuk duam të hedhim poshtë gjithçka tani, ndaj edhe ato protesta janë pjesë e karakterit dhe dëshirës për të bërë mirë nga ana e lojtarëve.

Kallaku luajti më djathtas dhe nuk ishte në një ditë të mirë, ndonëse vendosi sfidën…

Ishte një zgjedhje e imja që të nisej disi djathtas, por ai luajti edhe me probleme dhe sakrifikoi shumë, ndaj duhet përgëzuar për këtë.

Keni një gjendje fizike për t’u admiruar. A është kjo meritë e përgatitësit atletik?

Është një meritë e jashtëzakonshme e përgatitësit atletik, pasi një pjesë e mirë e lojtarëve na erdhën vetëm ditët e fundit dhe bëmë një punë të madhe për t’i sjellë të gjithë në këtë formë të mirë.