Pavarsisht humbjes së thellë 3-0 ndaj Kukësit në kampionat, pak ditë më parë, trajneri i Teutës Edi Martini ka besim se gjysmëfinalja e kthimit e Kupës së Shqipërisë do të jetë një tjetër histori dhe Teuta e tij i ka shanset për të kapur finalen. Pavarsisht mungesave të Kallakut dhe Kuros, trajneri shkodran ka besim se “djemtë e detit” do të shfaqin në fushë anën më të mirë të repertorit të tyre.

“Kemi përballë një nga ekipet më të mira në Shqipërisë. Edhe pse luajmë në fushën tonë, shanset për jualifikim janë të barbarta. Rezultati në ndeshjen e parë 0-0, nuk na favorizon, pasi kundërshtari me një gol në fushën tonë mund të na hapë punë. Por do tentojmë kualifikimin”,–tha Martini.

“Kallaku ka sakrifikuar por nuk është ende në gjendje optimale, po ashtu mungesë e sigurtë është edhe Kuro. Pjesa tjetër janë të gjithë gati dhe për të dhënë më të mirën”.

“Ndeshja e kampionatit është ndryshe nga kjo e Kupës së Shqipërisë. Ka tjetër strategji kampionati dhe tjetër Kupa e Shqipërisë. Kam besim se do ta kalojmë me sukses këtë sfidë dhe gjysmëfinale. Duam që të shkojmë në finale duke ditur që klubi e ka si synim Kupën e Shqipërisë”.