Topi ka rinisur të rrotullohet në Shqipëri dhe ky është një motiv i madh për të buzëqeshur. Kjo është gjendja shpirtërore e trajnerit të Teutës Edi Martini dhe në fakt nuk ke se si të mos e pranosh që rinisja e stërvitjeve ka rikthyer edhe entuziazmin tek skuadrat.

Tekniku shkodran është i lumtur që më në fund ka mundësinë ta përgatisë ekipin e tij pa u ndikuar nga kufizime dhe me pretendimin për të gjetur sërish formën e dëshiruar.

“Të them të drejtën, kemi pritur për një kohë shumë të gjatë, por tani na ka ardhur buzëqeshja dhe jemi shumë të motivuar. Besoj se do të jetë një fazë interesante kjo e fundit”, tha Martini.

Fiziku apo ana psikologjike, cila do të jetë plaga më e madhe e shkëputjes më shumë se dy mujore. Drejtuesi kryesor i stolit të durrsakëve më shumë se sa tek mushkëritë e muskujt e sheh vështirësinë tek pjesa psikologjike e futbollistëve.

“Psikologjikisht ka qenë më problem sesa fizikisht, pasi të gjithë janë përgatitur individualisht gjatë kësaj kohe. Megjithatë kur rri kaq kohë pa punuar me topin, është pak e vështirë, por tani është rikthyer grinta e dëshira”, tha tekniku i Teutës.

Edi Martini e morri drejtimin e “Djemve të detit” në mes të dhjetorit dhe nga ai çast ka realizuar 7 fitore, 3 barazime e 3 humbje mes kampionatit dhe Kupës, kjo periudhë shkëputjeje nuk ka qenë e gjitha kohë e humbur për teknikun 45-vjeçar.

“Këto dy muaj shkëputjeje, me këtë periudhë stërvitjeje, më ka shërbyer për t’u njohur më mirë me ekipin, por të shohim si do ecin gjërat”, tha shkodrani.

Një skuadër pa objektiva, është si një person mes pyllit pa busull dhe objektivi i Teutës është i qartë.

“Kam biseduar edhe me çunat gjatë kësaj kohe dhe besoj se duhet të arrijmë në vendin e dytë. Ky është objektivi ynë, ndaj jam optimist se mund t’ia dalim”, tha Martini.