Trajneri i Teutës, Edi Martini, mendon se tashmë çdo gjë bëhet më e vështirë me skuadrën e tij në vendin e parë. Ai analizoi atë që kishte bërë ekipi për të arritur deri këtu, ndërsa theksoi se i mbetej peng seria e gabimeve të arbitrave kundër durrsakëve në këtë kampionat.

“Na shijon kreu shumë të them të drejtën, por jemi më tepër në stres se duhet ta ruajmë. Ka kohë që u them djemve që edhe kjo është finale, edhe kjo, por edhe 9 ndeshje kanë mbetur. Jo më kot jemi mbrojtja më e mirë, por duhet të theksoj diçka se nuk kemi qëndruar në mbrojtje, kemi qenë para portës a kemi qenë duke pritur të na sulmojnë.

Po ta vini re luajmë shumë lart, nuk lejojmë kundërshtarët të dalin në lojën e vet, edhe pse kemi pësuar pak gola, luajmë hapur. Por duke pasur parasysh mbrojtësit që kemi, janë në një gjendje shumë të mirë, lojtarë të pjekur, janë të mirë në leximin e situatave, luftën një kundër një.

Por edhe mesfusha e sulmi ndihmojnë para e mbrapa, ndaj përbëjnë një ansambël të mirë e është e vështirë të na shënojnë gol.Është fakt që kemi shënuar pak gola, por nuk është vetëm problem i yni, është i komplet Superiores. Se po të shohim të tjerët kanë shënuar pak më shumë, Partizani ka pak më tepër se ka fituar 5-1 një ndeshje. Të gjithë kanë probleme me sulmin. Barazimet që kemi marrë, ishin në fillim. Ne nuk bëmë pushim nga Europa, të tjerët bënë fazë përgatitore.

E kam thënë që nëse kampionati fillonte direkt, do të ishim të shkëputur dhe ishim në formë. Por ai bojkot rreth dy muaj e gjysmë ishim të vetëdijshëm se pas asaj gjendje do të vinte rënie dhe për ne erdhi. Por edhe se si i kemi marrë barazimet, kemi mbizotëruar në lojë, kemi humbur raste, nuk është se kemi marrë barazime në fund ndërsa ishim duke humbur. Kemi qenë superior.

Ndeshjet peng? Kanë qenë vendime arbitrare. Edhe me Skënderbeun, edhe me Laçin, edhe me Tiranën. Ka qenë një ndeshje me Bylisin ku duhej të ishte me 10 lojtarë pas 10 minutash e pastaj gjyqtari na dha ne të kuq. Janë peng se jemi dëmtuar realisht. E thashë duke mos hequr përgjegjësinë nga vetja se kemi defektet tona, por këto kanë qenë dy arsyet kryesore që nuk kemi qenë në ritmin që kemi pritur.

Faktori fushë? Për mua ka shumë pak rëndësi faktori fushë se kur nuk ke tifozë në stadium, ato 20-30 që janë, nuk është se janë shtysë e madhe të ndihmojnë ekipin. E rëndësishme është të jetë fusha cilësore. Këtë javë në Fier fusha linte të dëshiroje”, tha Martini.