Pas suksesit me Lushnjën, Teuta zyrtarisht do të jetë pjesë e Kategorisë Superiore për edicionin e ardhshëm. “Djemtë e detit” vuajtën shumë për të siguruar matematikisht mbijetesën edhe pse e nisën këtë edicion me petkun e një ekipi pretendent për pjesëmarrjen në kompeticionet europiane.

Pas një faze përgatitore model në Itali dhe një fillimi mjaft të mirë, duke entuziazmuar ambientin durrsak, ‘varka’ filloi të fuste ujë. Kulimi arriti me largimin e ‘kapitenit’, që e ndërtoi me duart e tij këtë skuadër, duke krijuar përshtypjen se ‘varka’ do të mbytej. Megjithatë, gjithçka mori një rrjedhë tjetër, presidenti Edmond Hasanbelliu fillimisht emëroi Stavri Nicën, por durrsaku largohet shumë shpejt dhe vendin e tij e merr Gentian Begeja.

Një ‘pjesëtar’ i familjes, pasi gjatë gjithë kohës ka qenë pjesë e klubit, duke drejtuar akademinë, por në disa raste edhe ekipin e parë. Këtë sezon e priste një detyrë edhe më e vështirë, megjithatë 44-vjeçari me shumë sakrifica ia doli, madje duke e siguruar mbijetesën një javë përpara fundit dhe larg presionit. Ashtu siç bëri tre sezone më parë kur fitoi garën me Apoloninë në “Niko Dovana”, duke e siguruar mbijetesën në javën e parafundit, falë suksesit 1-0.

Teuta sërish do të jetë mes më të mirave edhe në edicionin e ri, aty ku e meriton, por si do të jetë e ardhmja? A do të jetë Begeja dhe stafi i tij në krye të Teutës? A do të ketë largime masive pas përfundimit të kampionatit? Kush do të jetë skuadra e sezonit të ardhshëm? Këto edhe shumë pikëpyetje të tjera do t’i mësojmë në javët në vazhdim.

Megjithatë, një gjë është e sigurt: një pjesë e mirë e lojtarëve do të qëndrojnë, pasi janë nën kontratë, edhe pse miratimi do të merret nga stafi teknik, por ka edhe shumë të tjerë që janë lojtarë të lirë dhe pritet të largohen. Sezoni 2018-2019 fillon rreth një muaj më herët dhe gjithçka duhet mbyllur sa më parë nga drejtuesit për të mos rrezikuar sërish.