180 minuta për të ndryshuar fytyrën e sezonit. Me barazimin pa gola në Vlorë, Teuta konfirmoi atë që është përmirësimi më i rëndësishëm i skuadrës së Maganit, mbrojtja solide.

Në dy ndeshjet e fundit ndaj Vllazninë dhe Flamurtarit, reparti difensiv i durrsakëve u kthye nga më i dobti i kampionatit, në një mbrojtje që nuk pëson gola dhe tashmë jep garanci.

Ndryshimi është i rëndësishëm, sepse në dhjetë javët e para të kampionatit Teuta kishte pësuar plot 19 gola, mesatarisht 2 për çdo takim të luajtur.

Përpara këtij momenti pozitiv, ndeshja e vetme gjatë këtij sezoni ku “djemtë e detit” nuk kishin pësuar gol ishte ajo e fituar në Shkodër, më 17 shtator, e vlefshme për javën e dytë të Kategorisë Superiore.

Konsolidimi i mbrojtjes ka qenë lëvizja më e rëndësishme e trajnerit Magani në këtë sezon, me skuadrën që ka nisur kthesën e rezultateve, ku pas katër humbjeve radhazi në kampionat, në tre javët e fundit skuadra ka regjistruar dy fitore dhe një barazim, duke iu larguar zonës së rënies nga kategoria.