Racizmi ka zbritur në futbollin italian, teksa së fundmi protagonist është bërë arbitri. Në një ndeshje të kategorisë inferiore mes Serinos dhe Real Sarnos, gjyqtari kryesor ka ofenduar portierin e dytë të skuadrës së Serinos, Gueje As Dia. Portieri senegalez u ndëshkua me karton të kuq pas protestave në stolin e rezervave për një pozicion jashtë loje, por jo vetëm kaq! Pasi i ka treguar kartonin, arbitri e ka ofenduar gardianin me fjalët: “mbylle gojën, zezak”.

Pas ofendimit nga gjyqtari kryesor, portieri ka shpërthyer në lot, teksa në fushë ka zbritur presidenti i ekipit, Donato Trota. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, presidenti ka shkuar pranë gjyqtarit, i ka zgjatur dorën dhe ka marrë vendimin për tërheqjen e ekipit nga fusha.

“Djema, gjithçka mbyllet këtu. Le të largohemi!”, mësohet t’iu ketë thënë presidenti futbollistëve të tij. Ndërkohë në një prononcim për mediat italiane pas ndeshjes ai ka sqaruar: “Pashë lojtarin tim duke lotuar dhe vendosa menjëherë të tërhiqja skuadrën nga fusha. Kampionati duhet ndaluar. Nuk lejoj askënd të shkelë mbi dinjitetin e djemve të mi dhe veçanërisht mbi dinjitetin tim. Kësaj radhe u kaluan limitet dhe kërkoj një hetim federal”.