Pak ditë më parë mbrojtësi japonez Yuto Nagatomo i dha lamtumirën mes lotëve skuadrës turke të Galatasarayt, me të cilën luajti në dy sezonet e fundit, por nuk mori një ofertë për të rinovuar kontratën.

Gjatë këtyre ditëve është folur shumë për një rikthim në shtëpi të japonezit, por ndonëse në moshën 34-vjeçare, Nagatomo beson se mund të japë ende në Europë dhe po negocion rikthimin në Serinë A.

Kjo pasi mediat raportojnë se agjentët e japonezit kanë marrë një ofertë nga skuadra e Beneventos, e cila është ngjitur rishtazi në Serinë A dhe po synon të afrojë disa futbollistë me eksperiencë, për të përballuar mirë sezonin.

Nagatomo është një njohës mjaft i mirë i kampionatit italian, pasi për 7 vite ka veshur fanellën e Interit dhe një tjetër atë të Cezenës, duke zhvilluar në total 186 ndeshje dhe shënuar 9 gola.

Fakti që japonezi është një futbollist i lirë, josh drejtuesit e Beneventos që t’i ofrojnë një kontratë një vjeçare, me opsion rinovimi për një tjetër sezon.