Nuk është ende zyrtare, por me sa duket Zlatan Ibrahimoviç e ka vendosur se çfarë do të bëjë gjatë sezonit të ardhshëm. Të paktën sipas “La Repubblica”. Në fakt, në një shkrim të sajin, e përditshmja italiane garanton se suedezi do të largohet nga Milani dhe do të vijojë të luajë në Suedi dhe më saktësisht te Hamarbi, klub ku zotëron edhe 25 për qind të aksioneve.

38- vjeçari do të mbulojë edhe rolin e trajnerit, përveçse do të jetë pjesë e organikës së bardhegjelbërve. Në fakt, për të drejtuar ekipin Ibrës do t’i duhet licenca, ndaj klubi mund të punësojë një ndihmës të licencuar, ndërkohë që vendimet tekniko-taktike do të jenë detyrë e gjigantit nga Malmo.

Ndërkohë, sulmuesi vijon të jetë i përqendruar te kuqezinjtë me të cilët dje ndaj Parmës regjistroi edhe ndeshjen e tij të 100-të në kampionat. Deri më tani klubi nuk ka bërë asnjë hap për të zgjatur bashkëpunimin me sulmuesin, ndaj duket e vështirë që rruga drejt së ardhmes të jetë e përbashkët.