Në Itali prisnin një tjetër rezultat dhe sidomos një tjetër paraqitje të Juventusit në 1/8 e Champions. Për këtë humbja 1-0 e “Zonjës së Vjetër” në fushën e Lyon është jetuar shumë keq nga mediat përtej Adriatikut.

Zhgënjimi shfaqet qartë në faqet e para dhe titujt kryesorë në të përditëshmet sportive më të mëdha në vend. Fjalët e zgjedhura për të përshkruar këtë humbje nuk lenë vend për interpretime. Linja e komenteve është thuajse e njëjtë: kualifikimi është i arritshëm, por Mauricio Sarri dhe të besuarit e tij nuk bindin dhe për përmbysjen iu duhet një paraqitje tjetër nga ajo e Lionit.

Krejt e ndryshme është atmosfera në Francë, ku duke nisur nga “L’Equipe”, mediat atje i thurin elozhe skuadrës së Rudi Garcia. Në festë edhe të përditëshmet angleze pas fitores së madhe të Manchester City në fushën e Real Madrid. Në stilin e tyre dhe me lojra fjalësh në titujt kryesorë, të përditëshmet britanike trgojnë se si skuadra e Pep Guardiolës vazhdon të mbetet favorite pasvarësisht dënimit që mori nga UEFA. Të përditëshmet spanjolle janë të ndara si gjithmonë.

Nuk është aspak habi, që ato katalunjase duket sikur festojnë për suksesin e Guardiolës, që për herë të parë pas gjashtë vitesh u kthye dhe fitoi në “Santiago Bernabeu”. E kundërta e kësaj është panorama që ofrojnë mediat madrilene, që duken të dorëzuara dhe me pak shpresa për një përmbysje të madhe në sfidën e kthimit.