Açraf Hakimi është transferimi i parë i Interit në merkato. Futbollisti maroken vjen pas eksperiencës me Borusia Dortmund, atje ku shkëlqeu me gola dhe asistime, çka janë shumë të rëndësishme për një mbrojtës krahu.

Kështu, Interi hyri në bisedime me ata që zotëronin kartonin, Real Madrid dhe falë 40 milionë eurove bindi madrilenët. Sakaq, menaxheri i futbollistit, Alehandro Kamano, ka theksuar se në transferimin e Hakimit në Milano ka ndikuar edhe Zidan pasi francezi asnjëherë nuk e ka konsideruar.

“Zidan është arsyeja e transferimit të Hakimit te Inter. Duhet të shpjegojë se si nuk e ka telefonuar asnjëherë. Një rikthim te Reali? Në këtë moment nuk mendoj se është mundësia, duke qenë se aty është një futbollist i rëndësishëm si Dani Karvahal. Por, jam i sigurt se aventura e Hakimit do të jetë brilante, duke qenë se ka bërë shumë hapa para”.

Roli i Kontes në transferim?

“Trajneri ka qenë gjithnjë në kontakt me lojtarin, i ka folur për projektin e klubit. Besoj se kur një trajner me shumë vlera si Konte të kontakton dhe insiston shumë, kjo është prova që duhet për t’u ndjerë i rëndësishëm”, u shpreh menaxheri i Hakimit.