Xhani Rivera është padyshim një nga emrat më të shquar në historinë e futbollit italian. Një idhull për shumë vite për tifozerinë e Milanit, ai fitoi me këtë skuadër shumë trofe në Itali apo edhe në arenën ndërkombëtare, kurse me Italinë u shpall Kampion Europe në vitin 1968 dhe 2 vite më vonë nënkampion Bote.

Pas karrierës si futbollist, Rivera nuk kishte ndërmarrë asnjëherë detyrën e trajnerit deri tani, duke mbajtur pozicione drejtuese si te Milani, ashtu edhe në Federatën Italiane.

Por në moshën 76-vjeçare, Rivera ka vendosur që t’i hyjë trajnimit dhe këtë javë ka mbaruar edukimin përkatës, duke u pajisur me licencën UEFA Pro.

“Ku do të dëshiroja të drejtoja? Varet se kush më thërret, trajnerët zgjidhen dhe thuajse asnjëherë janë ata që zgjedhin. A ndjehem gati për të trajnuar? Sigurisht, përndryshe nuk do të kisha marrë këtë licencë. Ndoshta te Milani? Në këtë moment Milani e ka një trajner, por më tërheq ideja të drejtoj në Serinë A”, tha Rivera për mediat italiane.