Tanguy Ndombele është blerja më e shtrenjtë në historinë e Tottenhamit, që pagoi 62 milionë euro dhe do të paguajë edhe 10 të tjera bonus për kartonin e tij te skuadra e Lyonit, ku edhe spikati fillimisht mesfushori.

Megjithatë aventura e francezit në kampionatin anglez nuk po shkon aspak mirë, sepse fillimisht vuajti përshtatjen me Maurizio Pochettinon, ndërsa tani nuk po arrin të bindë Jose Mournhon që t’i japë një vend titullari.

Tekniku portugez dhe mesfushori mësohet se kanë debatuar ashpër të hënën, fillimisht në fushën e stërvitjes dhe më pas në zyrën e Mourinhos, pasi ky i fundit i kishte theksuar se nuk është ende gati për të luajtur.

“Special One” nuk është aspak i kënaqur me gjendjen fizike të futbollistit, por mbi të gjitha me angazhimin e tij në stërvitje, ndërsa vetë Ndombele ka reaguar ashpër dhe i ka thënë Mourinhos se nuk do të luajë më sa kohë që ai është trajner i Tottenham.

Këto detaje i zbulojnë tabloidët anglezë, sipas të cilëve tashmë te Tottenham po punojnë për të gjetur një tjetër skuadër për mesfushorin francez, që nuk po justifikon aspak paratë e investuara për blerjen e tij.