Luis Van Gal nuk i kursen kritikat, edhe kur bëhet fjalë për një lojtar si Leo Mesi, madje, edhe në ditën që argjentinasi shënon 32-vjetorin e tij të lindjes.

Në një intervistë të dhënë për “El Pais”, tekniku holandez, flet për futbollin që ai pëlqen, dhe kritikon me ashpërsi Mesin dhe rolin e tij tek Barcelona.

"Shikoni Barcelonën, sa kohë kanë pa fituar një Champions, me atë që thuhet se është lojtari më i mirë në botë? Shikojeni Nejmarin te PSG. Sa Champions kanë fituar? Nejmar dhe Mesi më pëlqejnë si lojtarë individualë, por jo si lojtarë ekipi. Besoj se në lojë kolektive, nuk ka asgjë më të rëndësishme se grupi. Mendoj se Mesi tani pyet veten, se si ka mundësi që nuk ka fituar një Champions për kaq gjatë. Më pëlqen ai, si lojtar individual. Është më i miri në botë si lojtar individual, statistikat e tij janë të shkëlqyera. Por, pse nuk e ka fituar për 5 vite Championsin? Si kapiten, duhet të pyesësh veten pse skuadra nuk po fiton në Europë. Besoj se Barça ka ekip të mirë, por për këtë situatë, edhe Mesi ka përgjegjësi për atë që po ndodh te Barcelona.Një nga më të mirët sipas meje, për lojën e ekipit, është Xhejms Milner. Në Champions, ka luajtur si mbrojtës, mesfushorë. Diçka e madhe, që e bën edhe në moshën 33-vjeçare. Edhe sulmuesit, ata duhet të luajnë për ekipin.Te Barcelona, kanë një staf të madh, dhe rreth 30 lojtarë. Mendoj se Mesi është ai që duhet të përshtatet me lojën e Barcelonës, dhe jo e kundërta. Guardiola, lojën që e bënte, e bënte për të mirën e skuadrës. Por, trajnerët e fundit janë përshtatur shumë vetëm me Mesin, në vend që të mbrojnë shpirtin e gurpit. Guardiola fitoi me Barcelonën, sepse nuk e la Mesin të luante si dëshironte ai, por si ishte më mirë për grupin, ky është ndryshimi. Mesi iu përshtat planit që Guardiola kishte në kokë, dhe jo e kundërta."