Teuta nisi zyrtarisht përgatitjet për ndeshjet e Europa League dhe për sezonin e ri. Skuadra durrsake, fituese e Kupës së Shqipërisë në 100-vjetorin e krijimit nën drejtimin e trajnerit Edi Martini zbriti në fushë pasi mësoi shortin e Europa League, që i vendosi përballë izraelitëve të Beitar Jerusalemit, ndoshta kundërshtari më i ashpër që ishte në vazo për “djemtë e detit”.

Në këtë seancë të parë stërvitore, ishte dhe blerja më e fundit, Aldrit Oshafi, që pasi qëndroi paksa i distancuar, si çdo fillim në ekip të ri, iu bashkua më pas grupit në stërvitje. Ndërkohë që mungonte, siç pritej Kalaja, i cili gjatë ditës ishte ndarë me Teutën, siç ishte lajmëruar dhe në faqen e klubit.

Në këtë stërvitje të parë të klubit, mungoi portieri Stivi Frashëri, i cili kishte një problem të vogël fizik dhe nuk u stërvit me ekipin, pavarësisht se ishte i pranishëm në “Niko Dovana”, ndërkohë që dhe Arbër Çyrbja, që mori një goditje në finalen e Kupës, pati një problem minimal në kofshë, që gjithsesi nuk është se pritet t’i hapë probleme për të qenë i gatshëm për sfidën europiane ndaj kundërshtarëve izraelitë.