Lionel Messit iu dorëzua nga e përditshmja spanjolle “Marca” trofeun e pestë të “Këpucës së Artë” si golashënuesi më i mirë në kampionatet europiane, duke lënë pas rivalin e tij të madh, Cristiano Ronaldo, me një trofe më shumë.

Vetë Messi ishte shumë i përulur në fjalët e thëna, pas marrjes së trofeut: “Nuk e prisja gjithë këtë. Kur fillova të luaj, ëndrra ime ishte të bëhesha futbollist profesionist. Më pëlqen puna, përpjekja dhe mbi të gjitha, shokët e skuadrës. Jam në skuadrën më të mirë në botë, kam lojtarët më të mirë në botë te Barcelona dhe kjo e bën gjithçka më të lehtë, që unë t’i fitoj këto çmime”.

“Pleshti” dha një mesazh të përmbajtur për kundërshtarin e radhës në Champions, teksa shorti e ka vënë përballë francezëve të Lyonit:

“Në emër, Lyoni nuk ishte një nga më të fortët në short, por do të jetë e komplikuar përballja me të. Ka kohë deri në shkurt, shumë gjëra mund të ndodhin. Nuk e dimë se si kundërshtari do të jetë në atë periudhë, as se si do të jemi ne. Parashikoj një ndeshje të vështirë”.

Messi shoqërohej në këtë ceremoni nga presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, dhe shokët e skuadrës, Sergio Busquets dhe Sergi Roberto.