Në listën e dëshirave të Paris Saint-Germain, në këtë merkato vere, është shtuar edhe emri i mbrojtësit të Milanit, Leonardo Bonucci. Sipas Tuttosport, klubi francez është interesuar për të marrë shërbimet e 31-vjeçarit. Trajneri Tuchel dëshiron që të fitojë gjithçka me gjigantët e Ligue 1, por për këtë i duhet të përforcojë edhe zonën mbrojtëse. Në këtë mënyrë ish-ylli i Juventusit është përfshirë në listën e dëshirave të teknikut gjerman, ashtu sikurse edhe patrioti i tij, Gianluigi Buffon. Në parim, PSG nuk do të bëjë asnjë ofertë deri më 1 korrik, kur të nisë zyrtarisht merkato.

Milan e bleu Bonuccin nga Juventusi 12 muaj më parë. Marrëveshja e arritur dukej si një negociatë “e pamundur” por që u arrit me sukses nga të dy palët. E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe me transferimin e Gonzalo Higuain në “San Siro”. Kuqezinjtë kanë shprehur interes për të marrë shërbimet e sulmuesit argjentinas, siç shkruan Corriere dello Sport. Trajneri Gennaro Gattuso ka në listën e dëshirave të tij dy sulmuesit, Alvaro Morata dhe së fundmi edhe Higuain. Sulmuesi i Juventus dëshiron që të largohet nga Torino dhe Milan do të ishte një shans i mirë për të.

Megjithatë, mbetet të presim se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e tij. Momentalisht lojtari vlerësohet rreth 60 milionë euro, një shifër e madhe për klubin milanez. Bonucci ka zhvilluar 227 ndeshje me Juventus, ku ka realizuar 13 gola dhe 35 ndeshje me Milan që nga 2017-ta (2 gola). Ndërkohë që numëron 80 ndeshje me kombëtaren italiane dhe gjashtë gola.