Te Milani mund të ketë një tjetër ndryshim në pankinë pas atij të tetorit të vitit 2019, kur u largua Marko Xhampaolo. Tani radhën mund ta ketë pasuesi i tij, Stefano Pioli. Lajm i bujshëm vjen nga Italia, ku thuhet se kuqezinjtë kanë gjetur trajnerin e ri në rast se Stefano Pioli nuk arrin ta kualifikojë skuadrën në Champions, në fund të këtij sezoni.

Aktualisht Zlatan Ibrahimoviç me shokë renditen në vendin e katërt me 69 pikë, dy më tepër se Napoli i vendit të pestë, ndërsa këtë javë do të përballen me Juventusin që ndodhet i treti pavarësisht se me pikë të njëjta.Sipas të përditshmes “Gazzetta dello Sport”, drejtori Paolo Maldini po studion terrenin për të mos u kapur në befasi në rast se Pioli dështon në mbylljen e kampionatit brenda katër vendeve të para. Mes kandidaturave të shqyrtuara nga drejtori teknik, spikat emri i Mauricio Sarrit, i cili është pa punë që prej vitit të kaluar kur u largua nga Juventusi, ndonëse vazhdon të paguhet nga bardhezinjtë, me të cilët nuk ka gjetur një kompromis për prishjen e kontratës së nënshkruar në verën e vitit 2019.

Sarri, i cili në ditët e fundit ishte përfolur se do ta kalonte te Roma, e ka parë veten që të digjet papranimi nga ana e Zhoze Murinjos, i cili do të stërvitë verdhekuqtë për të paktën tri vitet e ardhshme.Prandaj, pas humbjes së këtij shansi, ja tek del në skenë Milani, i cili ka nisur ta shqyrtojë opsionin “Sarri”, duke qenë se karakteristikat e teknikut 62-vjeçar i pëlqejnë shumë Paolo Maldinit, duke parë futbollin spetakolar, por edhe tepër efikas që tregoi te Napoli, por jo aq shumë te Juventusi, ndonëse me bardhezinjtë arriti gjithsesi që ta fitonte vjet edhe titullin kampion.

Problemi mund të jetë vetëm fakti i rrogës, duke qenë se Milani nuk ka ndërmend që për një trajner të paguajë mbi 3 milionë euro në sezon, ndërsa Sarri aktualisht, edhe pse i papunë përfiton 6 milionë neto nga Juventusi, pagë të cilën do ta kishte ta kishte të garantuar edhe për sezonin tjetër kur skadon edhe kontrata e tij me “Zonjën e Vjetër”.