Këmbëngulja e Mauricio Sarrit ka detyruar drejtuesit e Çelsit të planifikojnë një ofertë konkrete për Gonzalo Higuainin. Marina Granovskaja, drejtoresha sportive e “Bluve”, pas kontakteve me homologët juventinë thuhet se do t’u propozojë rreth 50 milionë euro për kartonin e argjentinasit.

Juventusi nuk do të ishte kundër kësaj shume, përkundrazi, por duhet kënaqur edhe Milani. Plani fillestar parashikonte “El Pipita”-n në Londër dhe Moratën te kuqezinjtë, por me spanjollin që duket me pranë Spanjës (Sevija dhe Atletiko Madrid), Leonardo po bën llogaritë për të kryer që në këtë muaj ofensivën për Kristof Piontek.

Në operacion mund të përfshihet edhe Atletiko e Madridit, me Moratën që do të rikthehej te skuadra ku hodhi hapat e para si futbollist, ndërsa udhëtimin e anasjelltë do ta bënte Nikola Kaliniç që do të ishte një tjetër përforcim i ekipit të Sarrit.PROGRAMI – Sipas kontratës, Higuain është lojtar bardhezi deri në 2021-shin.

Juvja nuk pranon të vijojë ta huazojë dhe Milani megjithëse e ka huazuar për 18 milionë euro, ka një të drejtë blerje në fund të sezonit. Kuqezinjtë kanë dhënë fjalën se do ta blejnë lojtarin, por kohët e fundit ai po shfaq pakënaqësi dhe kërkon t’i bashkohet Mauricio Sarrit.

Çelsi nuk pranon të investojë për lojtarë mbi 30 vjeç, aq më tepër në kontrata shumëvjeçare, por për argjentinasin janë gati të bëjnë një përjashtim, duke investuar 54 milionë euro, nga të cilat 9 do t’i kalojnë Milanit si dëmshpërblim për pjesën e dytë të sezonit pa “El Pipita”-n.

Teksa vëllai menaxher i lojtarit pritet të shkojë përsëri në Londër, Milani përgatit impenjimin e finales së Superkupës me Gonzalon jo në formë maksimale. Përveç rendimentit, 32-vjeçari është shënjestruar dje edhe për shkak të një fotoje në rrjete sociale ku ai shfaqej me shokët e skuadrës, teksa mundohej të fshihte një kuti me kek me çokokrem (Nutella).

Kaq ka mjaftuar dhe tifozët e frustruar nga hezitimet e Higuainit për të marrë një pozicion në këtë çështje, kanë nisur ta sulmojnë.E PANJOHURA POLAKE – Ky efekt domino për sulmuesit prek edhe Kristof Piatek (shqiptohet Piontek) të Xhenoas. Ai vlen 60 milionë euro aktualisht dhe Milani mund ta blejë brenda janarit nëse Higuain largohet

.Presidenti xhenoan, Preciozi, nga njëra anë ka kundër tifozët që e akuzojnë se shet yjet, teksa në anën tjetër arkat e klubit lëngojnë, por Milani dhe Leonardo mund të kenë argumentet e duhura për të zgjidhur me sukses ekuacionin për sulmuesin polak.