Nuk ka më alibi për Panuçin. Tani është Kombëtarja e tij. Nëse në ndeshjet paraardhëse mund të thoshte se po punon mbi boshtin e lojtarëve që ishin të afruar nga De Biazi, në ndeshjen e sotme me Turqinë ai do të na prezantojë skuadrën e tij…

Duke parë mungesat e rëndësishme dhe ndryshimet në repartin e mesfushës, i cili është më vendimtari në një ndeshje futbolli, trajneri kuqezi do të ideojë një formacion për të eksperimentuar, por mbi të gjitha për të surprizuar rivalët dhe për të marrë një rezultat pozitiv.

Mund të quhet epoka e re e kuqezinjve, për faktin se mungojnë lojtarë si Basha, Kukeli, Agolli, Kaçe dhe Abrashi që më parë kanë mbajtur peshën e mesfushës.Tani, trajneri Panuçi kërkon të provojë disa nga të rinjtë që ka grumbulluar si Qaka, Aliji, Ajdareviç, Ramadani, Lilaj, por edhe të tjerët që s’e kanë pasur shumë minuta në dispozicion si Ahmedi.

Mirëpo, përveç eksperimentit dhe lojës së bukur të treguar deri tani në ndeshjet eliminatore, trajneri De Biazi duhet të dëshmojë se di edhe t’i fitojë ndeshjet dhe të rikthejë ekipin te rezultatet pozitive.Në mbrojtje nuk ka shumë vend për të eksperimentuar, pasi Hysaj dhe Mavraj do të jenë titullarë dhe dy vendet e tjera do të kenë në balotazh Ajetin me Veselin dhe Lenjanin me Alijin.

Ky i fundit duket se ka fituar terren në ditën e fundit ndaj Lenjanit dhe me gjasë mund të jetë titullar. Mesfusha rikthehet të luajë me 5 në modulin 4-5-1, ose me 4 në vendosjen 4-1-4-1.Në këtë repart mund të ketë surpriza dhe pritet që një fanellë titullari ta kenë debutuesit Ramadani dhe Qaka.

Ky i fundit është në balotazh të fortë me Sabjen Lilajn, ndërsa Xhaka është pikë e palëvizshme e formacionit. Panuçi kërkon që t’i japë çelësat e lojës Ramadanit, i cili kërkon të projektojë një “Kukel” të ri.Trajneri Panuçi kërkon të provojë lojtarët për të parë se çfarë mund të ofrojnë ata për Kombëtaren dhe Valon Ahmedi mund të jetë titullar në krahun e djathtë në vend të Roshit.

Nuk ka surpriza në majën e sulmit, pasi pritet të luajë Armando Sadiku, si i vetmi lojtar sulmues i deklaruar. Në të djathtë do të jetë Eros Grezda, i cili po kalon një formë të shkëlqyer me ekipin e Osijekut. Të paktën, kështu e rreshtoi trajneri ekipin në stërvitjen e fundit, por mbetet për t’u parë nëse do të luajë me këtë formacion. Ai gjithmonë ka ndryshuar dhe ka bërë surpriza ditën e ndeshjes.