Mançester Siti nuk ka ndërmend që të transferojë Lionel Mesin në merkaton e verës. Të paktën, kështu informon “Sky Sports”. Klubi i Premier Ligës ka marrë këtë vendim për shumë arsye, por dy janë më kryesoret që e çojnë në braktisjen e kësaj piste: mosha dhe rroga e tij e lartë. E ardhmja e kapitenit katalanas është e panjohur.

Ai do të jetë lojtar i lirë nga 30 qershori dhe të gjitha rrugët e çonin në Mançester, sidomos pas rinovimit të kontratës së Pep Guardiolës. Mirëpo, për momentin asgjë nuk është e qartë. Gazetarja Semra Hunter ishte e sigurt në raportimin e saj. “Dyert e Mançester Sitit janë të mbyllura për Lionel Mesin dhe ata nuk do të bëjnë ofertë”, thotë gazetarja, e cila siguron se ka informacione të sigurta brenda klubit anglez.

“Këtë gjë e them me autoritet sepse e di si është situata në klub dhe më thonë që Siti nuk do të bëjë ofertë për Mesin”, vazhdon më tej. Sipas saj, janë dy arsye pse “Qytetarët” nuk duan që ta transferojnë kapitenin e Barcelonës. Pas 17 vitesh në nivele të larta me katalanasit, karriera e tij është drejt fundit dhe rroga shkon afro 100 milionë euro.

Kjo shifër është e lartë dhe asnjë klub tjetër nuk mund të paguajë rrogën e tij. Rinovimi i Pep Guardiolës me Sitin provokoi disa lajme që e lidhnin kalimin e Mesit në Mançester, por këta të fundit nuk e kanë këtë qëllim. Mosha gjithashtu punon kundër “Pleshtit”.