Tottenham Hotspur është një nga skuadrat më të penalizuara në këtë fillim sezoni pasi i duhet të luajë nga 3 ndeshje në javë për shkak të impenjimit në 3 kompeticione si Premier League, Carabao Cup dhe Europa League.

Të martën në mbrëmje skuadra e Hose Mourinjos u kualifikua në çerekfinalet e Kupës së Ligës falë suksesit pas goditjes së penalltive ndaj Chelsea-t, por më shumë sesa ajo sfidë lajmi përbën gjesti i Eric Dier dhe mënyra unikale sesi e interpretoi atë Hose Mourinjo.

Mesfushori anglez në mesin e pjesës së dytë vendosi të braktiste fushën dhe iu drejtua tualeteve në dhomat e zhveshjes, për të kryer nevojat personale. Kamerat e filmuan momentin e largimit, ndërkohë që Mou e ndoqi pas.

Portugezi sa duket nuk e kishte kuptuar atë që po ndodhte, ndërkohë që pas ndeshjes u kap me faktin që futbollistët po luajnë shumë ndeshje brenda një periudhe shumë të shkurtër.

“Ajo që i ndodhi Eric Dier nuk është normale, por më duhet ta lavdëroj në një mënyrë të veçantë. Duhet të ndalohet që një lojtar të luajë dy ndeshje të këtij niveli në 48 orë. Ajo që bëri ai nuk është njerëzore për ta bërë. Ai duhet të shkonte në atë moment. Ndoshta është diçka normale kur je krejtësisht i dehidratuar. Duhet t’i bëja presion të mos shkonte, por ai është një shembull i mirë për të gjithë. Nëse autoritetet nuk interesohen për lojtarët, unë interesohem”, deklaroi Mourinjo për Sky Sport pas ndeshjes.

Special One është vërtet unik në atë që bën dhe ato që thotë.