Ka nisur muaji i Ramazanit dhe një pjesë e mirë e shqiptarëve agjërojnë. Gjatë muajit të Ramazanit, myslimanët janë të obliguar të agjërojnë çdo ditë nga agimi deri në perëndim të diellit.

Agjërimi i Ramazanit është një nga pesë shtyllat e Islamit: Shehadeti, falja e namazit, dhënia e zekatit, shkuarja në haxh dhe agjërimi i Ramazanit.

Këtu nuk bëjnë përjashtim as futbollistët. Ka shumë lojtarë në klubet shqiptare që agjërojnë dhe përpiqen të respektojnë me korrektësi rregullat e fesë së tyre. Krejtësisht normale e gjitha, por kjo periudhë kërkon një impenjim specifik si nga lojtarët, ashtu edhe nga stafet e tyre dhe veçanërisht te mjekët e klubit.

Këta të fundit duhet të kenë vazhdimisht në fokus të veçantë lojtarët që agjërojnë me qëllim që rendimenti i tyre të jetë në parametrat që kërkojnë klubet.

Teuta ka futbollistë dhe pjesëtarë të stafit që agjërojnë. Bëhet fjalë për Arapin, Krasniqin, Hoxhën, Beqjen, Kapllanin, Dajën, Aleksin dhe zv.trajnerët Hodo e Rizvani.

Nga ana tjetër, edhe përgatitësit atletikë dhe trajnerët duhet të marrin në konsideratë ndoshta ngarkesat fizike dhe mënyrën e stërvitjes për lojtarët përgjatë këtij muaji, me qëllim që gjithçka të shkojë mirë.

Te Partizani agjërojnë plot 6 futbollistë: Bitri, Hasani, Broja, Hakaj, Çinari dhe Asani.Te Tirana agjërojnë Lika, Bekaj, Seferi etj.