Totenhemi nuk e pati të lehtë mbrëmjen e djeshme ndaj Shkëndijes së Tetovës, megjithatë në fund fitoi me rezultatin 1-3. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ernest Gjoka, mori edhe komplimentet e Hoze Murinjos. Ndërkohë, tekniku portugez zbuloi në prononcimin pas ndeshjes se portat e stadiumit Toshe Proeski në Shkup ishin pesë centimetra më të ulëta se normalja.

“Para ndeshjes ishte një situatë shumë qesharake sepse portieri im më tha se porta ishte më e ulët. Unë shkova ta shihja dhe ishte e vogël. Portierët të cilët shpenzojnë një kohë të madhe aty, e kuptojnë menjëherë. E ndjeva se diçka ishte gabim dhe mora delegatin e UEFA-s, rezultoi që ishte pesë centimetra më e ulët. Kërkuam që portat të ishin në dimensionet e duhura”, u shpreh Murinjo.

Mirëpo, luzitani më pas ka theksuar sërish nëpërmjet Instagramit detajin e portave të stadiumit, teksa shprehet se mendoi se ishte rritur, por më pas kuptoi se porta ishte pesë centimetra më e vogël. Kujtojmë se në këtë stadium do të luhet më datë tetë tetor edhe ndeshja gjysmëfinale e Ligës së Kombeve mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.