Teuta do të luajë nesër në orën 13:30, kundër Luftëtarit në transfertë dhe ekipi durrsak do vetëm tre pikët nga kjo përballje. Trajneri Blendi Shkëmbi, ka dalë para mediave dhe ka folur për këtë sfidë duke theksuar rëndësinë e ndeshjes dhe respektin ndaj kundërshtarit.

Luftëtari? “Është një ndeshje e vështirë, pasi ekipet e ashtuquajtura të vogla, apo që duket sikur kanë probleme, ta bëjnë më të vështirë. Jemi stërvitur shumë dhe shpresoj që nesër ta arrijmë atë që kërkojmë. Duhet të jetë fitorja detyrim, edhe pse në futboll nuk ka detyrime. Duhet të luajmë vetëm për të fituar ndeshjen”.

Ekipet e vogla? “Teuta nuk ka vuajtur vetëm me ekipet e vogla, por ka vuajtur edhe me ekipet e forta. Çdo gjë varet nga momenti. Nuk duhet të shohim prapa, por para. Është një ndeshje e vështirë, mbase edhe një finale. Tre pikët do na mbanin në rrugën e duhur.”

Sulmi? “Të gjithë duam të shpërthejnë sulmuesit, por kjo gjë duhet bërë në fushën e lojës. Shpresoj të jetë ndeshja e duhur që sulmuesit të shënojnë. Nuk janë vetëm Nikaç dhe Khalid, janë edhe të tjerët që duhet të ndihmojnë repartin e sulmit dhe të shënojnë”.

Golat e paktë? “Nëse do skemë që do të shënoheshin më shumë gola, atëherë do të luajë në atë mënyrë. Duhet të vazhdojmë me idenë tonë, të luajmë futbollin që kërkojmë. Shpresoj që të jetë një ogur i mirë dhe të shënojmë”.

Aleksi dhe Hoxha? “Janë lojtarët tanë, ndër kryesorët. Do jetë një plus për ne, pasi nga kundërshtari kanë ikur ndoshta dy lojtarët më të mirë.”

Frikë? “Nuk mendoj që kanë frikë të gjuajnë në portë, të luftojnë apo të luajnë futboll. Patjetër trajnerët kërkojnë më shumë, por jo çdo gjë bëhet në fushë. Punojmë në të dyja fazat e lojës dhe javë pas jave besoj se do të bëjmë maksimumin”.