Tani është i lumtur dhe mund të qëndrojë deri në fund të karrierës. Humori i Lionel Messi ka ndryshuar, të paktën siç raporton e përditëshmja katalunjase “Sport”.

Gazeta shumë pranë klubit “blaugrana” bën të ditur se Messi po mendon seriozisht të rinovojë kontratën me Barcelonën, e cila skadon në qershor.

Duke citur burime pranë sulmuesit argjentinas, e njëjta gazetë shprehet se pas fitores së fundit kundër Bilbaos, ku “Pleshti” shënoi edhe dy gola, ai ka kuptuar se projekti i ri i Barcelonës mund të funksionojë.

Po ashtu, Messi është i kënaqur që të dy kandidatët për president të Barcelonës e kanë vendosur atë në krye të axhendës së tyre menjëherë sapo të marrin postin.

Në këtë mënyrë, e ardhmja e Lionel Messi do të jetë sërish me skuadrën katalunjase, pavarësisht ofertave të çmendura të Manchester City dhe Paris SG, që gjithsesi vazhdojnë të jenë në fuqi.