Sivjet, presidenti i Juventusit i dhuroi trajnerit Masimiliano Alegri zotin Kristiano Ronaldo. Sigurisht që një afrim dhe një investim i tillë, edhe pse u prit me shumë eufori nga të gjithë, nuk vonoi shumë që të ndryshonte edhe humoret brenda grupit, pasi nëse nuk mund të ketë pasur ndoshta xhelozi, sigurisht që pakënaqësitë mbi ndryshimin e hierarkive në formacionin titullar nuk vonuan që të shpërthenin, ndonëse u tentuan të mbahen të fshehta.

Shpesh, Alegri është kritikuar se ndoshta në shumë raste e ekzagjeroi me rrotacionet, por në të njëjtën kohë, ndoshta pa dashje zhvlerësoi pikësëpari dy yje si Paulo Dibala dhe Zhoao Kanselo. Pas një fillimsezoni që pritej gjithë shpresë, numri 10 i Juves humbi gjurmët në fushën e lojës, duke mos pasur shumë hapësirë, ndërsa Alegri këmbëngulte te Manxukiçi përkrah Ronaldos, ose Bernardeski, më shumë se te kushdo tjetër.

Dhe kjo bëri që Dibala të mos ngurronte ta shfaqte pakënaqësinë e tij hapur në fushën e lojës dhe jashtë saj. Ndërsa në fazën e dytë, Kanselo, lojtari më i mirë bardhezi i fazës së parë, u shndërrua në një rezervë luksi, por në të njëjtën kohë ka pasur përplasje edhe me Pjaniçin (mbi idetë e lojës), i cili pas çdo humbjeje ka qenë shumë i ashpër ndaj zgjedhjeve të Alegrit.

Një tjetër problem u bë Duglas Kosta, i cili u gjobit me urdhër të trajnerit si rrjedhojë e prezencës në ditëlindjen e Nejmarit në Paris, por ndoshta krisja ka vazhduar edhe me Khedirën, të cilin shpesh e ka përdorur, teksa gjermani nuk ka pasur formën e duhur fizike, si rrjedhojë e emergjencës në mesfushë.

Dhe ky grup nuk ka ngurruar që këto pakënaqësi t’i shfaqte edhe te drejtuesit, me disa prej lojtarëve që dolën hapur duke kërkuar largimin nga skuadra, por nga dje, kur është komunikuar lamtumira me “Kontin Maks”, rebelët e skuadrës sigurisht që kanë festuar brenda vetes dhe ndoshta, tashmë dëshira për t’u larguar nga Juventusi dhe nga Kristiano Ronaldo, është zhdukur si me magji…