Interi është gjithmonë e më afër sulmuesit Romelu Lukaku. Belgu është i preferuari i trajnerit Konte, teksa pritet të zërë vendin e Mauro Ikardit, i cili me shumë gjasa do të largohet nga zikaltërit.

Duke përfituar nga marrëdhëniet e mira me agjentin e lojtarit, Frederiko Pastorelo, mediat italiane raportojnë se Marota ka arritur akordin ekonomik me sulmuesin e Junajtid, i cili është i gatshëm ta ulë pagën e tij në 8 milionë euro në sezon, duke përfshirë edhe shpërblimet, për të provuar një eksperiencë të re në Itali, ku aktivizohet gjithashtu edhe vëllai i tij, Xhordan Lukaku.

Mediat italiane kanë zbuluar se belgu ka ndjekur me vëmendje ndeshjet e Interit këtë sezon, teksa ka brohoritur për kualifikimin e Interit në Champions, sezonin e ardhshëm. Këtë fakt e konfirmojnë edhe mesazhet e vazhdueshme të Lukakut me patriotin e tij, Raxha Naingolan. Interi tashmë duhet të gjejë një marrëveshje me Junajtid që kërkon 70 milionë euro për ta lënë të lirë sulmuesin.