Pas 5 fitoreve radhazi në kampionat, Viteshe u ndal ditën e djeshme në barazim 1-1 ndaj Groningenit në transfertë. Një ndeshja që mund të ishte mbyllur me fitoren e Viteshes, por në minutën e 63’, Broja humbi një rast të artë shënimi të krijuar vetë, me portën bosh.

Trajneri i Viteshes, Tomas Tesç, u shpreh se skuadra e tij e përjetoi keq këtë barazim, duke thënë se atmosfera në dhomat e zhveshjes ishte sikur të kishte ndërruar jetë dikush.

Gjithashtu ai flet edhe për rastin e Brojës, për të cilin thotë se kështu është futbolli dhe shton më tej që shpreson që ta bëjë gjumin e qetë pas atij rasti.

“Lojtarët ishin më të zhgënjyer se unë në dhomat e zhveshjes. Nëse Broja dhe Bero do kishin shënuar ne do të flisnim ndryshe tani dhe do të kishim dalë me 3 pikë nga ndeshja. Megjithatë sot hasëm probleme me Groningenin dhe unë jam i kënaqur edhe me barazimin.Në dhomat e zhveshjes ishte krijuar një atmosferë sikur kishte ndërruar jetë dikush. Më pëlqen ky mentalitet i skuadrës. Të gjithë janë të mërzitur për këtë barazim, pas gjithë atyre fitoreve radhazi në javët e fundit. Kjo është një shenjë e mirë. Broja? Shpresoj që ai mos e bëjë gjumin keq, për shkak të rastit të humbur. Kështu është futbolli dhe mund t’i ndodhë të gjithëve.”, u shpreh Tesç.