Ndeshjet humben dhe fitohen bash kë, por megjithatë Milani nuk tregoi asgjë pozitive. Pas humbjes me Interin lindën shumë pikëpyetje mbi zgjedhjet e Marko Xhampaolos. Ajo që i mundon më shumë milanistët lidhet me faktin se përse trajneri aktual nuk përdor asnjë nga blerjet e reja, duke ditur se lojtarët “e vjetër” nuk e çuan ekipin më lart se vendi i 5-të një sezon më parë.

Rafael Leao ishte i vetmi “i ri” pardje në fushë si titullar dhe portugezi megjithëse u furnizua pak, tregoi se ka aftësi që mund t’i hyjnë në punë skuadrës. Në këto kushte, sfida e së enjtes ndaj Torinos kthehet në test që e detyron teknikun 52- vjeçar që të përdorë disa nga blerjet e merkatos.

Teo Hernandez me 20 minutat në derbi dhe një shtyllë të goditur ka fituar një vend si titullar ndaj Torinos. Spanjolli rezultoi një “traktor” i cili jo vetëm meriton të luajë në formacion, por edhe që të mos jetë më kurrë zëvendësues i Rikardo Rodrigezit, që ndeshje pas ndeshjeje po shënon rënie të frikshme në kontribut. Lukas Bilia ishte më i shënjestruari për paraqitjen e dobët në derbi. Argjentinasi vijon të ketë mbrojtjen e trajnerit, por mesfusha kuqezi çalon në regji, ku 33-vjeçari nuk ka hapin e nevojshëm për ndeshje të caktuara. Ndaj Torinos në fushë pritet të jetë Benaser, i cili vjet thyente çdo statistikë te Empoli për t’u shpallur më pas lojtari më i mirë dhe fitues i Kupës së Afrikës.

Milani vuan të godasë portat e të shënojë dhe faji nuk mund të bjerë mbi Piontekun, i cili për hir të së vërtetës nuk shërbehet si dikur. Suso nuk është fantazist, por vështirë që të preket në ndeshjen e radhës. Skuadra do të modifikojë 4-3- 1-2-shin duke i shtuar sulmit njërin mes Rebiçit dhe Leaos. Ky i fundit fitoi shumë vota në derbi, sidomos nga tifozët, ndaj duket i destinuar në një balotazh me Ante Rebiçin për një fanellë në sulm. Milanit i duhen gola, pak rëndësi se kush shënon, por ndaj Torinos Xhampaolo përveç rezultatit, duhet të tregojë se ardhja në krye të Milanit nuk ishte rastësore.