Klubi belg Mechelen ka kaluar nga parajsa ne ferr në harkun e pak ditëve. Rikthimi në elitë dhe fitimi i Kupës së Belgjikës bën që shumë tifozë të ëndërronin për një rikthim të klubit në kohët vjetra, por një hetim i federatës belge ka çuar klubin në kaos në harkun e pak orëve.

Me anë të një komunikate, federata belge bëri të ditur se drejtuesit e klubit kanë pasur rol kyç në trukimin e një ndeshje kundër Vasland Beveren më 11 mars të vitit të kaluar. Masat ndëshkimore kanë qenë të rrepta.

Mechelenit i është ndaluar pjesëmarrja në Europa League si fituse e Kupës, si dhe ngjitja në elitë tani është pavlefshme. Sezoni i ardhshëm do ta gjejë Mechelen sërish në divizionin e dytë, madje sezonin do ta fillojnë me 12 pikë minus.

Krahas dënimit të klubit ka pasur dhe dënime për individë të caktuar. Tre funksionarë të lartë klubit janë dënuar me përjashtim nga aktivitet futbollistike për një afat 10-vjeçar. Klubi ka reaguar duke e konsideruar të padrejtë e të pakuptimtë dënimin. Pritet që dënimi në fjalë të ankimohet në “CAS”.