Pas humbjes së Teutës, përballë Luftëtarit me rezultatin 2-3, Stavri Nica deklaroi se do të largohet nga skuadra dhe njëkohësisht edhe nga futbolli.

Gjithsesi, 24 orë më vonë, pasi gjakrat janë ulur, tekniku durrsak ka ndryshuar mendim dhe do të vijojë punën në krye të pankinës.

Ka qenë pikërisht një takim me drejtuesit e klubit, ai që e ka bindur trajnerin Nica të vijojë punën, ndërsa lajmi është bërë i ditur nga përfaqësues të Teutës.

63-vjeçari u largua menjëherë pas ndeshjes me Luftëtarin, të cilën bregdetarët e humbën 3-2, duke mos dalë në konferencën për shtyp, por megjithatë presidenti Edmond Hasanbelliu garantoi se Nica do të jetë në krye të ekipit.

Sipas tij, trajneri gëzon besimin e plotë të drejtuesve. Kështu Nica do të vijojë punën normalisht, duke filluar nga sot, kur skuadra do të nisë punën në kuadër të përballjes me Vllazninë në ‘Loro Boriçi’, një sfidë direkte për luftën për mbijetesë.