Tirana udhëton të dielën drejt Durrësit për t’u përballur me Teutën. Secila palë vjen nga një seri rezultatesh negative dhe do të kërkojë të marrë një fitore që përveç tri pikëve do të shërbejë dhe për të ngritur moralin e skuadrës. Bardheblutë ndodhen në një situatë më të sikletshme, teksa ndodhen në një garë të ethshme për mbijetesë së bashku me Kastriotin dhe Luftëtarin.

Gjatë viteve të fundit përballjet në “Niko Dovana” kanë mbizotëruar barazimet. Fitorja e fundit e 24-herë kampionëve në stadiumin e qytetin bregdetar daton më 12 tetor të 2014-ës. Golin e vetëm të takimit e shënoi Elis Bakaj. Nga ai ekip, i vetmi i mbijetuar është Dorian Kërçiku, i cili si për ironi të fatit do të mungojë për shkak kartonësh.

Tek Teuta nuk asnjë të mbijetuar. Portieri Bledian Rizvani tashmë është pjesë e stafit të trajnerëve, ndërsa Erion Hoxhallari ka “ndërruar anije”. Ai sezon rezultoi zhgënjyes për të dyja skuadrat. Teuta rrezikoi seriozisht rënien duke shpëtuar falë fitores në ndeshjen e javës së fundit ndaj rivalëve direkt të Apolonisë.

Në krahun tjetër, Tirana u rendit e katërta, pavarësisht se në kontingjent kishte lojtarë ndër më të paguarit në Shqipëri si Bakaj, Bushiç, Curri dhe Bulku. 

Historiku i përballjeve Teuta – Tirana 
Teuta 2 – 1  Tirana  (Luajtur në Shijak) 02/11/2018 
Teuta 1 – 0 Tirana 28/01/2017 
Teuta 0 – 0 Tirana 7/09/2016 
Teuta 0 – 0 Tirana 29/04/2016 
Teuta 0 – 0 Tirana 03/12/2015 
Teuta 0 – 0 Tirana 16/03/2015 
Teuta 0 – 1 Tirana 26/10/2014