Gazeta e famshme e financave botërore “Financial Times” ka prishur qetësinë e kuqezinjve duke publikuar një artikull, sipas të cilit, qeveria kineze ka nisur një hetim mbi kompanitë më të mëdha vendase me aktivitet jashtë territorit kinez. Në sitën e hetuesve, me sa duket, ka përfunduar edhe kolosja “Huarong”, e cila i huazoi milionat e nevojshme për blerjen e Milanit biznesmenit Jonghong Li.

Kujtojmë se për arritjen e shumës së nevojshme për paketën e plotë të aksioneve kuqezi u krijua edhe ‘Zhejiang Rossoneri Investment’, një shoqëri, e cila duhet theksuar se nuk u përdor për asnjë moment në marrëveshjen e shitjes. Pavarësisht se pas shumë shtyrjesh dhe afatesh arritën të blejnë klubin, vështirësitë e Jonghong Li për mbledhjen e të gjithë shumës së nevojshme ishin jo të vogla.

Hapi i tij i fundit, por vendimtar ishte përfshirja e pasurisë personale prej 500 milionë eurosh, si dhe një hua nga fondi amerikan “Elliot Management” i specializuar në shkrirje kompanish. Sipas klubit kuqezi, ky hetim duhet parë si një procedurë normale, që përfshin investimet e kësaj natyre, ndaj arsyet për t’u shqetësuar nuk ekzistojnë.