Nga sot një vit më parë Shqipëria përjetoi një tmerr të vërtetë pas atij tërmeti të frikshëm me epiqendër Durrësin. Pikërisht qyteti bregdetar ishte edhe më i prekuri dhe dhjetëra banorë mbetën në rrënojat e ndërtesave të shembura, duke humbur jetën.Lojtarët dhe klubi i Teutës e kanë përjetuar mjaft keq atë situatë dhe sot klubi durrsak ka vendosur të kujtojë të gjithë viktimat e tërmetit të 26 nëntorit të shkuar dhe të ngushëllojë edhe njëherë familjarët.

POSTIMI – “Sot bëhet një vit nga tërmeti i 26 nëntorit, ku shqiptarët përjetuan jo pak tmerr e panik kryesisht Durrësi dhe rrethinat. KF Teuta i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve dhe të afërmve të personave që sot nuk jan më mesh nesh”.

Edhe Federata Shqiptare e Futbollit e ka kujtuar 26 nëntorin e shkuar, teksa tregon se është ndërtuar shtëpia e Artan Mirditës në Ishëm dhe premton ndërtimin edhe të tre shtëpive të tjera.

POSTIMI – “1 vit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Menjëhere sapo vendin tonë e preku tërmeti tragjik i para një viti, #FSHF, Presidenti Duka, ekipet kombëtare dhe federatat partnere reaguan duke dhënë kontributin e tyre në ndihmë të familjeve të prekura nga kjo ditë e dhimbshme.

Ndihma materiale për familjet e dëmtuara, fushata kombëtare për të mbledhur fonde, fushata ndërkombëtare e ndërmarrë nga Presidenti Armand Duka gjatë shortit të EURO 2020 ku figura të shquara të futbollit evropian dhe federatat homologe të cilët shpërndanë mesazhin e dhurimit të fondeve në portalin e shtetit shqiptar.

Jo vetëm kaq por FSHF dhe ekipi kombëtar organizoi disa festa për t’i dhënë sadopak gëzim fëmijeve e familjeve të tyre. FSHF i mban premtimet, duke filluar ndërtimin e shtëpisë së parë të Artan Mirditës, në Gjuricaj të Ishmit, ndërkohë që FSHF do të rindërtojë edhe tre shtëpi të tjera me fonde të mbledhura nga donacionet e Federatës, stafit të Kombëtares, futbollistëve kuqezi dhe federatat partnere. “Ne jemi një skuadër, rindërtojmë së bashku”.