Marash Kumbulla! Nga nata e djeshme shumë prej drejtorëve sportivë italianë do ta kenë shënuar më germa të mëdha emrin e talentit të ri që po lind në Serinë A, emrin e një 19- vjeçari shqiptar, i cili në një mbrëmje në pamje të parë pa shumë pretendime kundër Milanit, të mbetur me 10 lojtarë për më shumë se 70 minuta, sheh Kumbullën që jo vetëm të mbajë peshë i vetëm të gjithë repartin e mbrojtjes së Veronës, por në të njëjtën kohë të anulojë nga fusha e lojës Kristof Piontekun, i cili edhe pse u zhbllokua, e bëri këtë nga pika e bardhë e penalltisë.

Marash Kumbulla, të cilit sivjet Verona vendosi që t’i dhurojë një kontratë prej profesionisti, edhe pse qoftë për një sezon të vetëm, ka ditur që në 90 minuta si titullar kundër “Djallit” të fitojë vëmendjen e ekspertëve të merkatos, por mbi të gjitha edhe kopertinën e më të mirit në fushën e lojës, jo vetëm në radhët e Veronës, por edhe ndaj kuqezinjve.

Një krenari e radhës për futbollin shqiptar në tokën italiane, i cili diti që të meritojë edhe vlerësimin e medias, duke merituar notën 7. Qendërmbrojtësi i Shpresave kuqezi ishte thjesht i jashtëzakonshëm, perfekt, duke treguar se sfidat nuk e trembin dhe ka mjaftueshëm kurajë sa për të mbajtur mbi shpatulla një repart të tërë dhe për të shkëlqyer në një natë që është pak ta quash e vështirë.

“Ndoshta Milani është ende një skuadër që nuk di të sulmojë në mënyrë agresive në sulm, por të anulosh nga fusha e lojës një si Piontek nuk është pak. Vërtet polaku nuk po përjeton një start të mirë sezoni, por për një lojtar të datëlindjes 2000 dhe shënojeni mirë këtë emër, të luajë të parën si titullar dhe të mbajë mbi shpatulla repartin e prapavijës së një skuadre që luan me 10 lojtarë për më shumë se 70 minuta, na falni por nuk është pak. Të gjithë në këmbë për shqiptarin”, ishte në kor vlerësimi i medias italiane për Marash Kumbullën.