Mesut Ozil do të rinovojë kontratën me Arsenalin? Jo, aspak! Mesfushori turko-gjerman, sikurse ka zbuluar “Daily Mail”, do të largohet në fund të sezonit me parametër zero, me shpresën për t’iu bashkuar Manchester United. 29-vjecari, i cili luan me “Topcinjtë” që nga viti 2013, mësohet se u ka thënë miqve të tij më të afërt se pret një ofertë nga Jose Mourinho, për t’iu bashkuar “Djajve të Kuq”.

Arsen Wenger do të bëjë të pamundurën që “ylli” i skuadrës së tij të mos i bashkohet një rivali direkt, duke e vënë në treg që në merkaton e dimrit, për të përfituar financiarisht nga shitja e kartonit të tij. Interesimi për mesfushorin ka qenë minimal, por trajneri francez është i bindur që do të hapet një ankand në janar.

Interi është skuadra që ka shprehur dëshirën për ta blerë ish-futbollistin e Realit të Madridit, që nga ana e tij ëndërron të rivihet nën urdhrat e Mourinhos. Për këtë arsye, ai do t’i rezistojë cdo oferte të mundshme në janar, për t’u shndërruar “Djall” në verë. Mourinho e admiron lojtarin e kombëtares gjermane dhe jo më kot është shprehur se mbetet një nga mesfushorët më kreativë në botë.